Përmes sportit njihemi më shumë

Fondacioni për zhvillimin e arsimit dhe kulturës Albiz, më 25 prill, e përfundoi realizimin e projektit “Liga shkollore në futboll të vogël”. Xhiroja e fundit e Ligës shkollore u realizuan në sallën sportive të SHF “Dituria”, Saraj.

Gjatë katër javëve, në të cilat u zhvilluan ndeshjet, nxënësit kishin mundësi të shoqërohen dhe të njihen më shumë mes tyre. Në këtë ligë morën pjesë të gjitha shkollat fillore në Komunën e Sarajit, gjegjësisht nxënësit prej klasës së gjashtë deri në klasën e nëntë. Në ditën finale, vendi i tretë i takoi SHF “Emin Duraku” nga f. Bukoviq, vendi i dytë i takoi SHF “Bajram Shabani” nga f. Kondovë dhe kampionët e sivjetmë SHF “Sami Frashëri” nga f. Gllumovë. Në fund të turneut u shpall edhe portieri më i mirë, nxënësi  Kadri Ebibi nga SHF “Bajram Shabani”, ndërsa Aid Sulejmani nga SHF “Sami Frashëri” ishte golashënuesi më i mirë.

Liga shkollore u realizua në bashkëpunim me Komunën e Sarajit. Ky projekt është pjesë e Platformës kulturore-sportive të Fondacionit Albiz, i cili ka për qëllim avancimin e sportit, nxitjen e shoqërimit dhe komunikimit tek nxënësit, si dhe promovimin e të jetuarit shëndetshëm përmes sportit.